Konflikt mes dy të rinjve në Obiliq, theret me thikë 18-vjeçari
Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë.
Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Plemetin të Obiliqit, ku pas një përleshjeje mes dy personave, një 18-vjeçar ka mbetur i therur me thikë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se i riu është dërguar atje për ndihmë mjekësore. Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë arrestuar të dyshuarin që është i moshës së mitur.
I dyshuari është intervistuar në praninë e prindit dhe më pas me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.