Mërgimtari që u rrah nga miqtë në aeroport përfundon në pranga, e denoncoi gruaja pasi ia arrestuan vëllezërit
Përleshjet mes miqve e familjarëve në vendin tonë nuk janë të rralla dhe në plot raste përfshihen familja e gruas dhe të dhëndrit.
Për motive të ndryshme, shumë prej tyre përfundojnë në Polici, ku kërkojnë ndihmë për zgjidhjen e telasheve. Gazeta Sinjali raportoi për një rast të tillë që ka ndodhur të dielën, ku një person është rrahur nga dy vëllezërit e gruas së tij posa ka arritur në Kosovë.
Rasti ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku dy vëllezërit Maloku sulmuan fizikisht dhëndrin e tij dhe për pasojë përfunduan në ndalim policor.
Por edhe viktima, që ishte cak i sulmit nga miqtë, përfundoi pas disa orësh në prangat e Policisë, pas denoncimit të bashkëshortes së tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pasi Policia ia arrestoi vëllezërit, mërgimtarja ka vendosur që të raportojë një rast të mosmarrëveshjes me burrin e saj derisa ishin në pushime.
Si rezultat, burri i dyshuar është shoqëruar në stacion policor, ku para hetuesve policorë ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti për veprën penale “Dhunë në familje”.