Tentim vrasja për 400 euro borxh në Zllatar: Arrestohet edhe anëtari tjetër i familjes Fazlija

Pas disa muajsh në arrati, Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë edhe një person të dyshuar lidhur me tentim vrasjen që ka ndodhur në restorantin ‘Villa Piknik’ në Zllatar të Prishtinës, në fund të muajit qershor, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur një person, ndërsa një tjetër ka marrë lëndime të rënda nga goditjet me mjete të forta.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Egzon Fazlija, 18-vjeçar, i cili ka qenë në listën e personave të kërkuar me urdhëresë të Gjykatës.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera të nevojshme.

Ndryshe, një ditë pas incidentit, Sinjali ka publikuar emrat e dy të dyshuarve, babë e bir, Blerim dhe Endrit Fazlija, familjarë të Egzonit (babai dhe vëllai), që janë arrestuar fillimisht për këtë rast.

Palët e përfshira fillimisht janë rrahur në parkingun e restorantit dhe më pas janë dëgjuar të shtënat e armës, me ç’rast janë gjetur edhe dy gëzhojat e armës që dyshohet se u përdor.

Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e viktimës, i cili ka pohuar se është sulmuar fizikisht nga Blerimi dhe djemtë e tij për shkak të një borxhi prej 400 eurosh.

Rasti po hetohet për veprat penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Sami Lushtaku bashkë me Nurën darkojnë në shtëpinë e të moshuarëve në natën e Vitit të Ri