Prishtinasi deponon dhjetëra 1she dhe 2she false në një bankë, rasti denoncohet në Polici

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Në dhjetëra monedha të falsifikuara ka hasur një punëtore e një banke në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtarja e bankës ka njoftuar se një klient ka deponuar rreth 90 euro, në monedha metalike 1 dhe 2 euro, e që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Monedhat janë konfiskuar për ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikimi i parasë’.

Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

/GazetaSinjali/

Lexo edhe:  Ganimete Musliu e kalon me sukses operimin në zemër