Prishtinë: Burri ushtron dhunë psikike ndaj gruas dhe i kërkon të largohet nga banesa, ajo e denoncon

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku një burrë po dyshohet për dhunë ndaj bashkëshortes së tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në rrugën “Muharrem Fejza”, ku një burrë 43-vjeçar, pas një konflikti verbal ka eskaluar në dhunë psikike ndaj viktimës, duke e ofenduar e fyer.

Si pasojë e frikës dhe dhunës së përjetuar, viktima u detyrua që ta raportojë bashkëshortin në Polici, ku ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë që ka ndodhur në banesën e tyre.

Njësitet janë vënë në lëvizje pas denoncimit të rastit, por nuk kanë arritur ta arrestojnë personin e dyshuar, pasi i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe po qëndron në arrati.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë vendim për arrestimin dhe ndalimin e të dyshuarit posa i njëjti të kapet nga Policia dhe ndaj tij të nisin hetimet për veprën penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Një i vdekur në aksidentin e rëndë Prishtinë–Pejë