Ky është i dyshuari që mashtroi kompanitë në emër të ‘Teta Gjylit’, u denoncua nga aktori Azemi

Mashtrimi i disa bizneseve duke u prezantuar si regjisor i serialit ‘Teta Gjyli’ i ka kushtuar një të riu nga Gjilani, i cili ka rënë në prangat e Policisë pas denoncimit të aktorit Osman Azemi.

Burimet nga Prokuroria thonë se personi që u prezantua si përfaqësues nga ky serial dhe përfitoi shuma të konsiderueshme të parave është G.Sh. Sipas informatave të para, ai po dyshohet se ka mashtruar rreth 5 biznese, me të cilat ka arritur marrëveshja gjoja se për xhirime dhe hapësirë reklamimi te seriali ‘Teta Gjyli’.

Për këtë rast që u zbulua është vënë në dijeni Prokuroria pas denoncimit të vet aktorit Azemi, i cili ka dhënë deklaratë në Polici në cilësinë e viktimës.

I dyshuari që u prezantua si regjisor, dyshohet se ka përfituar rreth 150 euro nga çdo kompani që e ka vënë në lajthitje.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka shoqëruar të dyshuarin në stacion policor dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tij kanë nisur hetimet për mashtrim dhe i njëjti është dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Skandal në Tetovë, mjeku gjinekolog “live battle” në TikTok, xhiron nënat shtatzënë në sallë