Ferizaj: Vajza e dehur ushtron dhunë ndaj nënës së saj, e bën për spital

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

E, shkak për dhunën brenda familjes shpeshherë bëhet edhe abuzimi me substanca narkotike e alkool.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se në orët e para të ditës së sotme, një grua në Ferizaj ka kërkuar ndihmën e Policisë, si pasojë e dhunës së përjetuar nga vajza e saj.

22-vjeçarja në gjendje të dehur, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore, për çka mori edhe ndihmë mjekësore në spital.

Njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarën e cila u shoqërua në stacion policor. E reja iu nënshtrua edhe testit për alkool, ku rezultoi se është në gjendje të dehur.

Me urdhër të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim trupor’ dhe ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Liberalizimi po e bënë të vetën: Për dy ditë, mbi 7 mijë qytetarë aplikuan për pasaportë