Përleshje me thika mes dy të miturve në Gjakovë, përfundojnë në spital
Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në rrugën “UÇK” në Gjakovë, ku dy të mitur janë përfshirë në një përleshje fizike.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, dy të miturit janë dërguar në spital për shkak të lëndimeve që kanë marrë, e të cilat dyshohet se u shkaktuan nga goditja me thikë.
Elezaj njoftoi se është arrestuar një person i dyshuar.
“Sot rreth orës 11:25 dy persona (meshkuj të mitur) pasi dyshohet se ishin përfshirë në një përleshje fizike në rrugën “UÇK” në Gjakovë, janë dërguar në Spitalin Rajonal për shkak të lëndimeve (dyshohet nga mjet i mprehtë-thikë). Policia ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar prokurori i shtetit. Është bërë egzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është arrestuar një i dyshuar”, tha Elezaj për Sinjalin.