Kurti: Jam për zgjedhje të parakohshme në Veri, por nuk mund t’i detyrojmë kryetarët të japin dorëheqje

Kryeministri Kurti i është përgjigjur kryediplomatit evropian, Josep Borrell, i cili pak më parë tha se dorëheqja e kryetarëve aktualë është mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për të organizuar zgjedhjet e reja në Veri.

Ai tha nuk mund të detyrohet askush të japë dorëheqje në emër të askujt.

Sipas tij, rruga demokratike dhe ligjore është udhëzimi administrativ, derisa tha se imponimet nuk janë të mirëseardhura dhe as demokratike.

“Lista serbe si një degë e partisë në pushtet në Serbi që vepron në Kosovë , më 5 nëntor dha dorëheqje kolektive në komunat në veri të Kosovës dhe këto i bën me qëllim të keq dhe të gabuar. Për gabimin e tyre nuk do të duhej ta paguanin kryetarët aktualë që njëmend e kanë legjitimitetin e vakët sepse dalja ka qenë e ulët, mirëpo janë të vetmit që kanë legjitimitet”.

“Unë jam i interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë, mirëpo nuk mund ta detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke e respektuar udhëzimin administrativ që thotë se duhet organizuar peticioni me 20 për qind të nënshkrimeve të trupit elektoral në komunën përkatëse, në mënyrë që pastaj të organizohet votimit drejt përfundimit të mandatit të kryetarit. Kjo është rruga ligjore, demokratike nga poshtë, imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe as të mirëseardhura”, tha Kurti.

Borrell, sot në një konferencë për media, komentoi dy opsionet për t’i shpallur zgjedhjet, mirëpo e përsërit se dorëheqjet e katër kryetarëve është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë.

Ai tha se ka marrë garanci nga Vuçiq se serbët do të angazhohen për zgjedhjet në Veri.

Lexo edhe:  Pritet hapja e 300 vendeve të punës, Hajdari nënshkruan projekt në vlerë 11 milionë euro

“Zgjedhjet mund të shpallen përmes dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në Veri të Kosovës ose përmes mbledhjes së nënshkrimeve nga serbët e Kosovës për t’i shkarkuar kryetarët. Më lejoni që ta sqarojë se BE e sheh dorëheqjen e kryetarëve, të cilët janë zgjedhur vetëm nga 3 për qind e popullsisë, si mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme”.

“Procedura tjetër, kërkimi i nënshkrimeve, nuk është e sigurt. Serbët e Kosovës pritet që të tregojnë konstruktivitet dhe të angazhohen, pa kushte, në procesin zgjedhor, ata duhet të marrin pjesë… dhe mirëpres garancinë që mora sot nga presidenti Vuçiq për këtë. Nëse nuk ka progres në zgjedhje, rreziku për ripërshkallëzim do të vazhdojë të jetë i rrezikshëm mbi zbatimin e marrëveshjes dhe në procesin e normalizimit”, tha Borrell.