I riu nga Lipjani ekspozon armën ilegale, 30-vjeçari e denoncon në Polici

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar së fundi në Lipjan, pasi një person dyshohet se ekspozoi armën e tij ilegale.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rastin e ka denoncuar një 30-vjeçar, i cili ka pohuar se derisa qëndronte në veturën e tij, i dyshuari [po ashtu me veturë] i është afruar dhe ka nxjerrë armën.

Denoncimi ka bërë që njësitë policore në Lipjan të aktivizohen dhe kanë arritur që ta ndalojnë personin e dyshuar.

28-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka pranuar se posedon një armë pa leje dhe se të njëjtën ka ekspozuar para viktimës.

Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit ku kanë gjetur dhe sekuestruar armën, teksa me urdhër të prokurorit i dyshuari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Lajmi i fundit: Gjuajtje me armë në Prishtinë, një i plagosur