Bossi i “Shell Kosova” dënohet vetëm me 4 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për dhunë në familje

Bossi i kompanisë ‘Shell Kosova’, Lulzim Kryeziu, edhe për disa muaj nuk do ta shijojë lirinë, pasi tashmë është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si i akuzuar për veprën penale “Dhuna në familje”. Biznesmeni Kryeziu, i cili është futur në telashe me organet e rendit, është denoncuar disa herë për të njëjtën vepër, ndërsa tash është shpallur edhe aktgjykimi ndaj tij, pas rastit të fundit, raporton Gazeta Sinjali.

Gjykata ka vendosur që ta dënojë Kryeziun me katër muaj burgim dhe me gjobë prej 1 mijë euro, dënim ky që do të ekzekutohet në afat prej 15 diësh nga plotfuqishmëria e këtij akgjykimi.

Trupi gjykues po ashtu ka shqiptuar edhe masën e trajtimit me anë të rehabilitimit të detyrueshëm të personave të varur nga droga ose alkooli, masë kjo që nuk mund të zgjasë më shumë se dy vite.

Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me ç’rast është bërë e ditur se masa e paraburgimit i është vazhduar të akuzuarit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë.

“Të akuzuarit paraburgimi i është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore.”

Kryeziu ishte arrestuar në muajin qershor, pas 10 ditësh qëndrim në arrati, periudhë kjo që tentoi t’i shpëtojë drejtësisë me disa tentativa, por nuk ia doli.

Mëgjithatë, ai nuk qëndroi në Qendrën e Ndalimit, sepse para së të bëhet i gjallë për Policinë, ishte kujdesur që të shtrihej në njërin nga spitalet privatë në Prishtinë në mënyrë që të shpëtojë nga ndalimi.

Lexo edhe:  Një person i lënduar në aksidentin që ndodhi në mëngjes te rrethi i madh në Prishtinë

Edhe në këtë rast dështoi, pasi ndaj tij u bë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë, që u aprovua më pas nga Gjykata dhe i njëjti u dërgua në paraburgim, e më pas u ngrit aktakuza.

Çka dihet për rastin për të cilin u dënua?

Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht më 5 qershor se Kryeziu ishte denoncuar një ditë më herët nga bashkëshortja dhe djali i tij, të cilët kishin kërkuar ndihmën e Policisë, për shkak të frikës dhe rrezikut që po iu kanosej nga burri/babai i tyre.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e përbashkët të çiftit në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, ku Kryeziu kishte ushtruar dhunë ndaj dy viktimave.

Bashkëshortja dhe djali i saj kishin rrëfyer se për shkak të dhunës psikike që ai ka ushtruar ndaj tyre, ata janë detyruar ta lëshojnë shtëpinë dhe të kërkojnë strehë te familjarët e tyre. Bazuar në dëshmitë e tyre, të dhëna në Polici, viktimat kanë deklaruar se Kryeziu i ka ofenduar me fjalë nga më të ndryshmet dhe për të mos mbaruar me kaq edhe i ka kërcënuar.

Pikërisht atë natë, para se të largohej nga Kosova, Sinjali ka raportuar se përmes linjës 192, Kryeziu e ka denoncuar djalin me pretendimin se i është vërsulur dhe e ka kërcënuar, duke tentuar që të paraqitet si viktimë.

Por, gjithçka rrodhi ndryshe, pas denoncimit të viktimave, që tashmë kanë rezultuar me aktgjykim dënues.

Kujtojmë që kjo është hera e tretë që Lulzim Kryeziu është përfshirë në veprën penale të dhunës në familje, për të cilën tash është dënuar, pasi për një rast të mëhershëm ai është dënuar me kusht nga Gjykata.

Ndryshe, në muajin nëntor të vitit të kaluar, ai përfundoi në Polici dhe qëndroi në ndalim policor për 48 orë, por shpëtoi pa masë paraburgimi, pasi Gjykata refuzoi kërkesën për një masë të tillë sigurie.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Mitrovicë, dy vetura bëhen ‘kërrsh’ mes vete – FOTO