Gjuajti me armë në aheng, 18-vjeçari në Fushë Kosovë përfundon në pranga
Kosovarët si ‘merakli të armëve’, ato i përdorin shpesh edhe në ahengjet familjare, përmes së cilës shprehin ‘gëzimin’ e tyre për një ngjarje të caktuar. E kjo përpos që është dukuri e shpeshtë dhe e kundërligjshme, shumë herë është edhe e rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.
Policia ka intervenuar dje edhe në një rast në fshatin Miradi e Poshtme të Fushë Kosovës, ku disa të shtëna me armë trazuan banorët e asaj zone.
Sinjali mëson se një 18-vjeçar dyshohet se ka shtënë me armë në një aheng familjar dhe i njëjti më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa arma që dyshohet se u përdor në rast, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprëat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.
Kujtojmë se në vazhdimësi është bërë thirrje që të festohet pa armë, por siç duket këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër.