Rasti tragjik në Malishevë: Ky është i riu që u privua nga jeta, motivi dyshohet të jetë një borxh
Mosmarrëveshja mes disa personave që dyshohet se nisi për borxh sot në Balincë të Malishevës, përfundoi me fatalitet, ku për pasojë humbi jetën tragjikisht një i ri. Për vrasjen e tij, tashmë janë arrestuar katër persona, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i riu që u privua nga jeta është Shkodran Krasniqi (1994),vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor që intervenoi në vendin e ngjarjes.
Rasti tragjik ka ndodhur në tregun e druve, ku të dyshuarit dhe viktima, tashmë i ndjerë, janë përfshirë në një përleshje fizike dhe motiv dyshohet të ketë qenë një borxh.
Lëndime trupore nga përleshja kanë marrë dy nga të dyshuarit, të cilët tashmë janë shoqëruar në Polici.
Ndërkohë, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku po kryejnë bastisje, teksa është sekuestruar një armë zjarri.
Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, tha Elezaj.