Simo Spasiq e përcolli Lajçakun me fyerje: “NATO fashist, Kosova nuk është shtet”

Përfaqësuesi Special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, e vizitoi në Beograd Aleksandar Vuçiqin, ku kanë diskutuar për Kosovën, si pjesë e përgatitjeve për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në Bruksel, dhe teksa po largohej nga zyra e Vuçiqit, përveç presidentit serb, ai shoqërohej dhe nga Simo Spasiqi, kryetari i të ashtuquajturës “Shoqatë serbe të kidnapuarve dhe të vrarëve nga Kosova”.

“NATO fashist! Kosova nuk është shtet!”, ka bërtitur Spasiqi pas Lajçakut, transmeton Paparaci.

Në atë moment Vuçiqi është kthyer kah ai, duke e drejtuar dorën në drejtim të tij, ndërsa Lajçakut i ka thënë diçka me shprehje të pakënaqësisë.

Në veturë me Lajçakun ka hyrë edhe shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret, ndërsa Vuçiq ka qëndruar për disa kohë në derën e Presidencës me një shprehje “të thartë” në fytyrë.

Pas takimit me Lajçakun, Vuçiq ka shkruar në Instagram se i ka përcjellë përfaqësuesit special të BE-së se është “shumë i shqetësuar për planin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “për të pushtuar me forcë veriun e “krahinës” dhe për të dëbuar serbët nga vatrat e tyre shekullore”.

Ndërsa Lajcak shkruar në Twitter se kishte “diskutime thelbësore” me Vuçiqin për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, përpjekjet për të ulur tensionet dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun e të dy palëve./Paparaci.com

Lexo edhe:  Detaje të sulmit në Dardani- Kërcënim me vrasje, gjuajtje me bombë në banesë