Sami Lushtaku për deklaratën e Faton Klinakut: E mbështes dhe ndaj të njëjtin mendim me të

Deklarata e Ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinakut se më parë do ta vriste kryeministrin Albin Kurti, se sa të ikte nga Kosova, ka shkaktuar reagime në vend.

Në reagime të shumta po kërkohet që të arrestohet dhe prokuroria të merret me të dhe deklaratat e tij.

Por, jo të gjithë janë kundër asaj cfarë deklaroi Klinaku mbrëmë.

Atë po e mbështet një bashkëluftëtarë.

Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku në një prononcim për Front Online tha se ka të njëjtin mendim me Klinakun.

“Mos ja merrni për të madhe, sepse gjendja e rëndë ka qenë në Kosovë, sidomos çfarë po ndodh atje.

Edhe unë me tregu drejtë qaty në një mendje jam me Klinakun, në asnjë mënyrë nuk kisha pranuar me lëshu Kosovën”, u shpreh ai për Front Online.
Ai thotë se Klinaku ka dhënë vetëm një mendim.

“Secili ka të drejtën me dhënë mendimin, prandaj ky është vetëm një mendim, veprim nuk ka bërë ai djali, unë jam me Klinakun deri në fund, pavarësisht se çfarë ka thënë ai, unë me Klinakun jam”, deklaron ai për Front Online.

Klinakut iu kundërpërgjigj, zëvendësministri i Infrastrukturës, Avni Zogiani përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ku tha se i “janë terru sytë”.

“20 milionë euro të rezervave financiare të shtetit qen shpërndarë pa kurrfar kriteri nga Qeveria Haradinaj! Ndër të tjera aty pat marrur edhe organizata e Klinakut! Epo s’ka ma kështu, prandaj i janë terru sytë këtij dhe plotë të tjerëve si ky!”, ka shkruar Zogiani.

Arrestimin e Klinakut e ka kërkuar organizata joqeveritare “Lëvizja për Demokraci”.

Lexo edhe:  E dhimbshme: 5 vjeçari Eris Voca që vdiq dje aksidentalisht në Tavnik do të varroset sot

Deklarata e kryetarit të OVL UÇK-së, në të cilën ai deklaron “Më parë e vras Albin Kurtin sesa që e lëshoj Kosovën,” është një shembull i papranueshëm i përdorimit të retorikës së ekstremizmit në politikë. Në një kohë kur Kosova ka nevojë për bashkëpunim, dialog dhe për të ndërtuar një të ardhme të qetë dhe të sigurte, kjo lloj retorike nuk kontribuon në asnjë mënyrë pozitive, por nxit urrejtje dhe vrasje në mes vete”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.