Dy të arrestuar pas ndeshjes KF Vëllaznimi – KF Trepça, tifozët kapen me thika e shufër hekuri

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Raste të tilla jo rrallëherë zbulohen edhe në tribuna, gjatë ndeshjeve të ndryshme në futboll e basketboll, ku tifozët kapen me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe në ndeshjen e fundit me KF Vëllaznimit dhe KF Trepçës, lojë kjo që u zhvillua në Gjakovë, me ç’rast zyrtarët policorë ishin të pranishëm për ofrimin e sigurisë.

Gjatë zbatimit të planit, Policia ka arritur që dy tifozë t’i kap në flagrancë me armë të ftohta e shufër hekuri, teksa po largoheshin nga stadiumi.

Sinjali mëson se të dyshuarit janë A.Prebeza dhe G.Mehana, të cilët kanë përfunduar në ndalim policor, nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.

Burimet brenda Prokurorisë thonë se te i dyshuari i parë është gjetur një thikë dhe shufër hekuri, që janë konfiskuar nga ana e zyrtarëve policorë, ndërsa i dyshuari tjetër ka arritur ta fsheh thikën.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarve është nxjerrë aktvendim për ndalim dhe inicim të rastit për veprën “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lexo edhe:  Raportohet për aksident afër stacionit të trenit në Pejë – nuk dihet ende për pasojat