Shkolla ia pranoi vajzën 5-vjeçare në klasën e parë, por jo edhe sistemi e-Kosova
Kishin deklaruar “se aplikimi do të jetë shumë i lehtë dhe i qasshëm”, por në fakt nuk po del të jetë as i lehtë e as i qasshëm herë-herë.
Linku për aplikimin online për subvencionimin për librat shkollorë në platformën e-Kosova, i cili u publikua sot gjatë ditës, brenda pak minutave është bllokuar, kjo duke shkaktuar vështirësi në aplikim.
Nuk dihet nëse numri i madh i prindërve që është kyçur në të njëjtën kohë ka ndikuar që faqja të ketë vështirësi.
Por, kyçja nuk po raportohet të jetë i vetmi problem, pasi vështirësi po raportojnë edhe prindërit të cilët i kanë regjistruar fëmijët e tyre në klasën e parë, tre-katër muaj para se ta mbushin moshën adekuate për këtë nivel.
Një prind në një grup në rrjetin social “Facebook” deklaroi se anipse shkolla ia ka pranuar vajzën në klasën e parë ende pa i mbushur gjashtë vjet, sistemi “e-Kosova” nuk po e njeh një gjë të tillë, pasi mosha e fëmijës duhet të jetë 6 deri 11.
Si rrjedhojë ky prind nuk mundet të aplikoj për subvencione për librat shkollorë në platformën e-Kosova.