Tentoi të largohet nga Kosova pasi u shpall në kërkim, ky është i dyshuari që u kap në aeroport

Gazeta Sinjali raportoi dje për arrestimin e një 34-vjeçari, i cili kërkohej nga Gjykata Themelore në Pejë, në bazë të një urdhërese aktive  për veprën “Dhunë në familje. Ai është kapur të hënën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Rasim Kelmendin, i cili është dërguar tashmë në mbajtje.

I dyshuari u ndalua në orët e pasdites të së hënës pasi Policia e zbuloi që i njëjti kishte vendosur që të largohej nga Kosova.

Sipas informacioneve të para, pas përfundimit të procedurave të nevojshme, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Pejë, teksa është vënë në dijeni edhe Gjykata Themelore në Pejë.

Me aktvendim të lëshuar nga gjyqtari i këtij rasti, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Aksident në Koliq të Prishtinës, vetura e Doganës përfundon me katër rrotë përpjetë