Alaramante: Rreth 300 mësimdhënës në pushim vjetor pa pagesë

Sipas Sindikatës së Arsimit, rreth 300 mësimdhënës shfrytëzuan të drejtën e pushimit një vjeçar pa pagesë në Kosovë. Sipas Sindikatës, procesit mësimor pritet t’i mungojnë kuadrot pas liberalizimit të vizave.

Dyert e shkollave pritet të hapen nga një shtatori.

E këtë vit, rreth 300 mësimdhënës të ri do t’i bashkohen procesit mësimor.

Ata do t’i zëvendësojnë mësimdhënësit të cilët shfrytëzuan të drejtën e pushimit një vjeçar pa pagesë.

“Kjo gjë kishte filluar të bëhej në heshtje. Si duket mësimdhënësit të zhgënjyer nuk kanë fol shumë as në sallën e arsimtarëve por kërkesën e kanë bërë në DKA. Ne jemi në procedurë të mbledhjes së shënimeve por po na dalin diku rreth 300 kërkesa të tilla që është numër alarmues”, thotë Rrahman Jashari nga SBASHK.

Sipas Sindikatës së Arsimit, punëtorët e arsimit pushimin e shfrytëzojnë për të punuar jashtë Kosovës.

“Nëse arrijnë të rehatohen, këta njerëz nuk do të kthehen më në procesin mësimor. Dhe nëse ky grupi i parë kalojnë mirë pastaj kjo do të nxitë një lëvizje zingjirore dhe do të kemi qindra mësimdhënës që do të shkojnë jashtë dhe kjo jo me fajin e tyre por me fajin prap të shtetit ngase shumica e tyre janë të zhgënjyer me ligjin e pagave, kanë pritë shumë më tepër”, shpreht Jashari.

Megjithatë nga Instituti EdGuard theksojnë se kjo kërkesë në asnjë formë nuk duhet të mohohet.

“Përderisa pushimi pa pagesë është e drejtë ligjore dhe si i tillë në asnjë moment askush nuk guxon t’ua kontestojë mësimdhënësve këtë kërkesë të tyre mirëpo ajo çka e kemi të rëndësishme është që çdo mësimdhënës ta kuptojë rëndësinë e punës së tij, çdo mësimdhënës të ketë të drejta për vendin e tij të punës dhe institucionet qeveritare dhe komunale të garantojnë mirëqenie në profesionin e tyre në mënyrë që mësimdhënësit tanë të mos shqyrtojnë opsione të tjera. Mësimdhënia pra të jetë prioriteti për të gjithë që garanton mirëqenie financiare dhe garanci në vendin e punës”, thotë Rinor Qehaja.

Lexo edhe:  Vrasja e argjentinases, zviceranët zbarkojnë në Kosovë për hetime – mediat atje sjellin detaje të reja

Me ligjin e ri për paga, mësimdhënësit në Shkollë të Mesme të Lartë dhe në Shkollë Speciale kanë rrogën prej 609 euro, ndërsa mësimdhënësit në Shkollë Fillore dhe të Mesme të Ulët përfitojnë pagën prej 588 euro.