Telashe mes çiftit në Gjakovë: Gruaja thotë se burri e rrahu pas konfliktit për kartelën e bankës

Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. E arsyet e konflikteve janë të ndryshme, duke përfshirë dyshimet për tradhti, abuzimi me alkool, mosmarrëveshjet për para etj, raporton Gazeta Sinjali.

Në Polici kanë përfunduar dje edhe një çift në Gjakovë, pasi gruaja akuzoi bashkëshortin e saj për dhunë në familje.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje nga dëshmia e gruas, sipas të cilës i gjithë sherri ka nisur pas një konflikti verbal për shfrytëzimin e kartelës bankare dhe bisedave të të shoqit me ish-bashkëshorten e tij.

Bazuar në dëshminë e saj, 49-vjeçari ka eskaluar në dhunë fizike, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore. Viktima ka marrë ndihmë mjekësore, teksa ka refuzuar të dërgohet në strehimore.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku ka mohuar të ketë kryer veprën për të cilën dyshohet.

Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Dënohet me burgim me kusht drejtori i shkollës që përjashtoi arsimtaren me shami