I riu në Suharekë ia sheh sherrin rrjeteve sociale, arrestohet pasi gjuajti me kallashnikov
Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallë herë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.
Një rast i tillë është zbuluar në Suharekë, ku pas publikimit të pamjeve në rrjete sociale, një 23-vjeçar ka përfunduar në pranga.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije Policia ka sekuestruar një kallashnikov me të cilin dyshohet se shtiu i riu.
23-vjeçari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet në për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.