Presidenti i Maqedonisë për tubimin ku mori pjesë Kurti: Organizatorët duhet të sanksionohen

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka reaguar ashpër pas tubimeve në Çair e Tetovë, ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pendarovski ka kërkuar që ligji të merret me organizatorët, pasi ata përhapën ide shoviniste. Kjo duke komentuar përdorimin e flamujve “Autochtonus” gjatë këtyre tubimeve.

“Theksimi i ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste shtetërore paraqet ndezjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik. Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në këtë drejtim, i bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë të kryejnë procedurat e parapara.”- shkruan Pendarovski.

Për përdorimin e këtyre flamujve kanë reaguar edhe nga kabineti i kryeministrit të Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski.

“Theksojmë se, të gjithë shtetet e rajonit, të cilët duan që i njëjti të jetë prosperues, me ekonomi të zhvilluar dhe i integruar në Bashkimin Evropian dhe të cilët duan të ndërtojnë raporte miqësore me fqinjët e tyre, duhet që me të gjitha veprimet e tyre t’i thellojnë miqësitë edhe mes shteteve edhe mes qytetarëve dhe të insistojnë në respektimin, para së gjithash, të simboleve shtetëror si dhe të specifikave multikulturore të çdo shteti të rajonit. Republika e Maqedonisë së Veriut është si shoqëri multikulturore dhe multietnike funksionale ndërton raporte të mira fqinjësore me gjithë fqinjët e saj, të bazuara në respektimin dhe bashkëpunim, i cili duhet të kontribuojë drejt zhvillimit të mëtejmë edhe të vendit edhe të rajonit”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Kovaçevskit.

Lexo edhe:  Vit: Arrestohet dilleri i drogës, Policia ia gjen rreth 20 paketime me marihuanë në ahurin e lopëve