Nis hetimi ndaj policëve që nuk reaguan kur u sulmua gazetari Vullnet Krasniqi

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur grumbullimin e informacioneve dhe videoinicizimeve lidhur me sulmin ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi sot gjatë një proteste në Prizren.

Sipas disa videove të publikuara nga momenti i sulmit, prezentë janë rreth katër policë nga të cilët gazetari Krasniqi kërkon që të reagojë, por ata nuk shihet se kanë reaguar në mbrojtje të tij.

Për këtë rast, IPK thotë se kanë filluar me procedurat dhe se kanë kërkuar raporte zyrtare nga stacioni policor në Prizren.

“Duke ju referuar kërkesës suaj rreth angazhimeve të Policisë së Kosovës për menaxhimin e protestës në Prizren, IPK ju konfirmon se sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informacioneve dhe videoinicizimeve lidhur me këtë rast. Përveç këtyre veprimeve, IPK ka kërkuar raporte zyrtare nga stacioni policor në Prizren lidhur me angazhimet policore gjatë menaxhimit të protestës. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë me dije se ka arrestuar personin, i cili dyshohet se ka sulmuar gazetarin e Nacionales, Vullnet Krasniqi dhe kameramanin.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se personi që ka sulmuar gazetarët është duke u intervistuar.

Lexo edhe:  Seferi: Po flitet për një mbyllje totale të kufirit në Jarinjë dhe Bërnjak