E rëndë: Dyshohet se vëllai i deputetit Gazmend Gjyshinca sulmoi policin në Vushtrri

Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka raportuar ekskluzivisht për një incident që ka ndodhur në qytetin e Vushtrrisë, ku Policia ka hasur në telashe me disa qytetarë. Njëri nga ta madje dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor, duke ia thyer atij gishtin. Tre të dyshuarit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari për sulmin ndaj policit është Berat Gjyshinca, 26-vjeçar dhe Albi Mavriqi Mentor Zeqiri.

Sipas informacioneve të para, Gjyshinca është vëllai i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca.

Sinjali që nga paraditja ka tentuar që të marrë një prononcim nga deputeti Gjyshinca, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur në telefonatat e redaksisë.

Ai bashkë me dy të dyshuarit tjerë janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Adri – Shqipes: Për 200 mijë euro e ke bë be Zotin rrejshëm