Shefqet Riza: Enver Sekiraqa ka qenë frikacak, nuk ka pas guxim m’i dalë përballë Triumfit

Shefqet Riza, babai i policit të vrarë në krye të detyrës më 30 gusht të 2007, ka dhënë një intervistë, ku ka folur për vrasjen e djalit të tij dhe për të akuzuarin Enver Sekiraqa.

Riza tha se Sekiraqa “ka qenë frikacak dhe nuk ka pasur guxim t’i dalë përballë Triumfit”.

Duke komentuar arrestimin pas 15 vitesh të Ilir Abdullahut, njërit prej të dyshuarve për vrasjen e djalit të tij, Riza ka thënë se ai ka qenë dora e djathtë e tij në vrasjen e Triumfit.

“Ka qenë dora e djathtë e Sekiraqës. Ky ‘Liza’ dhe ‘Rumqi’ (vëllai i Ilir Abullahut, Rrahim Adullahu) kanë qenë potencialisht dora e djathë që vazhdimisht e kanë përcjellë me vra Triumfin. Këta e kanë përcjellë, sepse si ka qenë frikacak, nuk ka pasur guxim Sekiraqa me dalë ballë përballë me Triumfin… Hero pasi ra në dorë s’ka pas qare. Këta janë marrë me krim të organizuar, me zhvatje, me tona të zezat. Këta kanë terrorizuar krejt Prishtinën, saqë fjalën përfundimtare vetë prokurori anglez u çu edhe tha ‘Triumfi është hero i kësaj ngjare, se i vetmi është ballafaqua me krimin e organizuar, prandaj është vrarë’”, ka thënë ai në TV Dukagjin.

Për vrasjen e 27-vjeçarit, që kishte ndodhur më 30 gusht të vitit 2007 në parkingun e lagjes Santea të kryeqytetit, i dënuar me 35 vjet burg është Arben Berisha.

Ndërsa për nxitjen në vrasjen e Rizës, është i akuzuar edhe Enver Sekiraqa por që rasti i tij ende nuk ka marrë një vendim të formës së prerë nga Gjykata.

Lexo edhe:  Vendet që mbesin sot pa energji elektrike