Plas sherri mes fqinjëve në Drenas: 47-vjeçari sulmohet me thikë, i dyshuari e gjuan edhe me zhavor

Mosmarrëveshjet mes fqinjëve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje e kanosje serioze dhe përfundojnë si raste në Polici, ku kërkohet ndihmë. Telashe të tilla mes kosovarëve janë mjaft të shpeshta dhe motivet shumë herë dalin të jenë zënkat momentale, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe të martën, në fshatin Poklek i Drenasit, ku janë përfshirë dy fqinj, të cilët janë kapur mes vete dhe për pasojë, njëri prej tyre e ka pësuar dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës, sulmi ka nisur nga 32-vjeçari i dyshuar, i cili e ka goditur fqinjin me mjet të mprehtë. Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari edhe e ka gjuajtur viktimën me zhavor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Përballë kësaj situate, i njëjti ka vendosur ta denoncojë rastin dhe si rezultat i raportimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit në drejtim të veprave “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dëmtim apo asgjësim i pasurisë së luajtshme”.

Lexo edhe:  U tha se ishte vrarë në veri, bëhet i gjallë terroristi serb: S’kam vdekur