Hetim për rastin e 11-vjeçares: Menaxherja s’kishte licencë profesionale

Ministrja e Drejtësisë (MD), Albulena Haxhiu, i ka dërguar njoftim u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, për të kërkuar hetim për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, pasi sipas ministres, menaxherja e Qendrës për Punë Sociale (QPS) që u mor me viktimën nuk kishte licencë profesionale.

Sipas njoftimit të MD-së dërguar Prokurorisë, të cilin e ka siguruar KOHA, pretendohet se që nga fillimi i trajtimit të rastit të 11-vjeçares, si menaxhere e rastit çdo herë është paraqitur Arbenë Bajrami. Megjithatë, në vizitën që e pati ministrja Haxhiu edhe në cilësinë e koordinatores nacionale kundër dhunës në familje më 24 korrik në strehimoren ku mbahet 11-vjeçarja, ftesa për takim si menaxhere e rastit i ka shkuar Valbona Makiqit. Sipas MD-së, për këtë u njoftuan nga drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku.

“Gjatë takimit e kam adresuar shqetësimin tim për këtë situatë të krijuar, si dhe kam njoftuar grupin se në bazë të informacioneve, Arbenë Bajrami, nuk ka licencë profesionale”, thuhet ndër të tjera në letrën e Haxhiut dërguar Prokurorisë.

Sipas letrës, Departamenti i Shërbimeve Sociale dhe Familjare në kuadër të MD-së, ka verifikuar se Bajrami nuk ka licencë profesionale për shërbime sociale dhe familjare dhe, rrjedhimisht, siç shkruan në letrën e Haxhiut, nuk do duhej t’i jepej përgjegjësia e menaxheres së rastit nga ana e drejtorit të Qendrës për Punë Sociale dhe udhëheqëses së Njësisë së Shërbimeve Sociale në QPS.

Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar nga Prokuroria që rasti të hetohet, pasi “veprime të tilla të cilat bien ndesh me ligjin nuk janë të pranueshme”.

Për ndihmë në hetim, Prokurorisë nga institucionet u janë dërguar raportet që janë pranuar me nënshkrimin e Arbenë Bajramit, si menaxhere e rastit, emailin e drejtorit ku njofton se menaxhere është Valbona Makiqi dhe emailin e konfirmit se Arbenë Bajrami nuk ka licencë profesionale.

Lexo edhe:  E turpshme: Këngëtari shqiptar pozon krah Daçiqit

Në gusht të vitit të kaluar është raportuar që 11-vjeçarja është dhunuar në dy raste të ndryshme. Ajo ka qenë viktimë e dhunimit nga pesë persona në muajin gusht, e më pas është bërë e ditur që viktima është dhunuar dhe trafikuar edhe gjatë muajit qershor, për çka janë arrestuar gjashtë persona të tjerë.

Muajin e kaluar Rrjeti i Grave të Kosovës ka njoftuar se viktima është dhunuar përsëri në strehimoren e sigurisë së lartë nga një vajzë e mitur.

Ky rrjet e ka akuzuar institucionin për dështim dhe neglizhencë, për çka nga Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar shkarkim të stafit.