Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar flet për vrasjen në Lipjan: Fëmijët po keqtrajtohen nga familjarët e tyre, s’kanë mbështetje nga shteti

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar ka reaguar pas vrasjes që ka ndodhur ditën e premte në Rufc të Lipjanit, ku mbetën të vdekur një çift dhe djali i tyre.

Në reagimin e bërë për media, Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar thotë se djali që u vra dje ishte me aftësi të kufizuara.

“Pas ngjarjes së ndodhur dje në familjen Bekteshi në Rufc të Lipjani Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar është thellë i tronditur me vrasjen e trefishtë, me këtë rast ne ju shprehim ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve dhe bashkëvendësve të tyre.

Sipas informatave që kemi nga banorët dhe të afërmit, Arditi djali që u vra ditën e djeshme në shtëpinë e tij në fshatin Rufc ishte person me aftësi të kufizuara, kjo e rëndon edhe më tutje gjendjen për shkak të mungesës së kujdesit dhe mbrojtjes nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës për personat më aftësi të kufizuara”, thuhet në reagim.

Më tej, në reagim theksohet se, personat me aftësi të kufizuara janë kategoria më e prekur në të gjitha aspektet e dhunës si në familje, si në shoqëri dhe në institucionet shkollore e deri në institucione të larta të shtetit.

“Jemi shumë të shqetësuar se nga mungesa e kujdesit janë duke vuajtur shumë fëmijë me aftësi të kufizuara ku keqtrajtohen së pari nga familjarët e tyre e deri tek të rriturit që jetojnë të diskriminuar, të braktisur dhe pa kujdesje shtetërore”.

Tutje, FKAK kërkon nga institucionet më të larta shtetërore që t’i zbardhin sa më shpejtë motivet e vrasjes dhe arsyet se pse quan në vrasjen e djalit me aftësi të kufizuara dhe dy familjarëve të tjerë.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Vdes ish ushtari i UÇK-së nga Prekazi

“Ju bëjmë thirrje institucioneve që të fillojnë të zbatojnë programe për kujdes dhe mbrojtje dhe vizita nëpër shtëpi të personave me aftësi të kufizuara të cilët duhet ta vëzhgojnë jetën e tyre nga afër për kushtet e jetës dhe trajtimi që u bëhet nga familjarët së pari e deri te shoqëria dhe të tjerët”.

Ndryshe, Policia ka konfirmuar se një person në Lipjan ka vrarë gruan, djalin dhe më pas vetën.

Varrimi i viktimave bëhet sot, ndërsa lidhur me rastin Prokuroria ka nisur hetimet, kurse janë konfiskuar dy armë zjarri.