Mashtrohet vushtrriasi, veturën e 31 mijë eurove e shiti por nuk i mori paratë – e denoncon të dyshuarin
Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët marrin vetura me qira dhe shkelin marrëveshjet që bëjnë për shfrytëzimin e tyre.
Shpesh ato automjete nuk kthehen në kohë, shiten, ose ‘zhduken’, çka i detyron pronarët e kompanive por edhe ata që merren me shitblerje të veturave të kërkojnë ndihmë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu i ka ndodhur një 27-vjeçari në Vushtrri, i cili ia kishte shitur një personit një veturë në vlerë të mbi 31 mijë eurove dhe ishte marrë vesh që pagesa të bëhet në fillim të këtij muaji.
Lëre që nuk e pagoi veturën që e mori, i dyshuari u zhduk dhe nuk dihej vendndodhja e tij, çka e detyroi pronarin ta denonconte rastin në Polici.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se sipas dëshmisë së dhënë para hetuesve policorë, viktima ka deklaruar se i dyshuari ka pasur për qëllim që ta fsheh veturën dhe s’është bërë më i gjallë.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, teksa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Mashtrim’, kurse veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e tij.