Policia për aksidentet në trafik: Këtë vit kanë vdekur 54 persona në Kosovë
Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, ka njoftuar se gjatë këtij viti kanë vdekur 54 persona si pasojë e aksidenteve të trafikut.
Rexhepi ka bërë të ditur se në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar kishin humbur jetën 59 persona.
“Shkaktarë më të shpeshtë të këtyre aksidenteve fatale janë tejkalimi i shpejtësisë, tejkalimi në vende të ndaluara, mosrespektimi i sinjalizimit. Pastaj mos mbajtja e distancës së sigurisë, nga një shpërqendrim sidomos me telefon, shkaktohet aksident me dëme apo lëndime. Deri sot 54 persona kanë humbur jetën, derisa vitin e kaluar kanë qenë 59 viktima”, tha ai.
Ai, gjithashtu dha një paralajmërim jo të mirë sa i përketë aksidentëve me dëmë e lëndime trupore.
“Tani në këtë fillim të sezonit veror, numri i aksidenteve me dëme e lëndime ka tendencë të rritjes krahasuar me vitin paraprak. Por, nëse i referohemi të dhënave për periudhën e parë të vitit në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rënie”, tha ai për Dukagjinin.
Rexhepi nënvizoi se me ardhjen e bashkatdhetarëve në Kosovë ngarkohet trafiku.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se janë mbi 430 mijë automjete aktive në Kosovë, kurse nga diaspora vijnë gati sa gjysma e këtij numri.