“Më shpejt dhe më sigurt”, Mehaj paralajmëron blerje tjera të armëve nga Turqia

Nga Turqia prej të cilës Kosova bleu dronët e famshëm “Bayraktar TB-2”, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka paralajmëruar se do të vazhdojnë blerjet e pajisjeve tjera ushtarake nga ky shtet. Blerjet shtet me shtet nga Turqia, Mehaj ka thënë se kanë qenë produktive, më të shpejta dhe më të sigurta. Për fluturaket e blera është deklaruar edhe Ambasadori i Turqisë në Kosovë. I pyetur nëse do të vijnë dronë tjerë apo pajisje ushtarake, ai tha se kjo varet nga nevojat e Qeverisë së Kosovës.

Dronët e Turqisë “Bayraktar TB-2” të cilët morën famë pas përdorimit nga ana e Ukrainës në luftë, tashmë janë pjesë e arsenalit ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Blerjen e këtyre fluturakeve e ka konfirmuar vetë kryeministri Albin Kurti, para gati dy javësh, në llogarinë e tij në Facebook.

Kurti nuk tregoi me sa të tillë është pajisur Kosova, por vetëm tha se Qeveria i ka blerë nga Turqia. E blerjet e arsenalit ushtarak nga Turqia do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Sinjal për këtë ka dhënë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas takimeve që ka zhvilluar në Turqi me presidentin e industrisë së mbrojtjes së Turqisë, Haluk Görgün dhe Shefin e kompanisë “Baykar”, Haluk Bayraktar.

Blerjen e dronëve Bayraktar, Mehaj e cilësoi si një nga investimet më të mëdha në ushtri gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, blerjet shtet me shtet nga Turqia, kanë qenë produktive, më të shpejta dhe më të sigurta.

“Takimi me presidentin e industrisë së mbrojtjes së Republikës së Turqisë, z. Haluk Görgün, blerjet shtet me shtet nga Republika e Turqisë kanë qenë produktive, më të shpejta dhe më të sigurta, prandaj bashkëpunimi ynë në këtë aspekt, do të vazhdoj edhe në të ardhmn. Blerjet tona do të jenë gjithmonë në koordinim me partnerët tanë dhe sipas standardeve të NATO-së. Ushtria jonë është duke u pajisur me teknologjinë e fundit të armatimit për qëllime mbrojtese”, shkroi Mehaj.

Lexo edhe:  Dita e diel - ditë pune gjatë Ramazanit: Bizneset në Mitrovicë do të punojnë pa problem