Sherr mes të rinjve në Fushë Kosovë, dy persona kërcënojnë me armë një 22-vjeçar
Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre.
Të njëjtit në shumë raste i përdorin ato për t’i kërcënuar të tjerët, e në rast edhe më të këqija, gjuajnë me to, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në fshatin Uglarë të Fushë Kosovës, ku pas një konflikti verbal dy persona dyshohet se kanë kërcënuar me armë një 21-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas denoncimit të rastit janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe është arritur që të identifikohen dy personat e dyshuar.
Të njëjtit janë ftuar për intervistim në stacion policor, ku kanë dhënë dëshmitë e tyre para hetuesve policorë dhe kanë dorëzuar armën që dyshohet se u përdor në rast.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.