E rëndë: 33-vjeçarja në Malishevë tenton t’i japë fund jetës, dërgohet me urgjencë në QKUK
Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë tonë. Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe dje në fshatin Gullboc të Malishevës, ku një 33-vjeçare dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së saj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë kanë bërë me dije se viktima ishte dërguar atje nga vëllai i saj dhe ndodhej në gjendje të rëndë për shkak se dyshohej se kishte konsumuar mbidozë ilaçesh.
Menjëherë pas dhënies së ndihmës së parë, e reja është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Tentim vetëvrasje’.