Haradinaj: Qeveria po na ngul thikë pas shpinës

Lideri i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka thënë se zbardhja e koordinimit të fshehtë të përfaqësuesve të Albin Kurtit me armiqtë e shtetit të Kosovës, për të përmbysur kategorinë më të shenjtë – luftëtarët e lirisë, është thikë pas shpine.

“ Thikë pas shpine është edhe prishja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, BE dhe SHBA, që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga “Defender 23”, duke e komplikuar tej mase aspiratën e Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërsa ka thënë se politika e kësaj qeverie, është antishtetërore dhe antikombëtare.

“Tërheqja e tij nga veriu, me një vonesë të pashpjegueshme dhe vetëm pasi që Kosova është futur nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-së, duke i shkaktuar kështu një dëm të pariparueshëm vendit, nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç si një politikë antishtetërore e antikombëtare”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka pohuar se ngjarjet e djeshme dhe dhuna e shfaqur në Kuvend, është alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvend por dhe jashtë tij.

“Ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna e shpërfaqur aty, janë alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës por edhe jashtë tij. Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë, në kohën kur Qeveria e vendit, na e ngulë thikë pas shpine aty ku na dhemb më së shumti, në lidhjen më të shenjtë të Kosovës, me NATO-n, Amerikën dhe me kategoritë e lirisë. Do të jemi të pakompromis dhe më të vendosur se kurrë në mbrojtje të interesave të shtetit e të qytetarit, aspiratës sonë për anëtarësim në NATO, në ruajtjen e miqësisë me aleatët tanë, Amerikën dhe BE e në mbrojtje të vlerave të lirisë sonë”, ka shkruar Haradinaj.

Lexo edhe:  Nëntori do jetë muaji i boksierit shqiptar, Arnold Gjergjaj lufton për titull Europe