Kapet grupi i hajnave që dyshohen për së paku dy vjedhje në Prishtinë, ndalohen për 48 orë
Vjedhjet e shumta nëpër banesa, shtëpi, lokale e institucione të ndryshme tashmë janë shndërruar në një dukuri që po i shqetëson qytetarët.
Përveç humbjeve të mëdha, të tilla raste po shkaktojnë edhe frikë e pasiguri. Herë të vetëm e herë në grup, hajnat po bëjnë kërdi gjithandej, raporton Gazeta Sinjali.
Disa raste të tilla janë denoncuar dy ditët e fundit në Prishtinë, ku dy qytetarë kanë kërkuar ndihmën e Policisë për një rast të vjedhjes dhe një tentim vjedhje që dyshohet se janë kryer në “Rrugën C” dhe te rruga “Faton Shabani”.
Si rezultat i raportimit, Policia në koordinim me Prokurorinë kanë nisur hetimet për identifikimin e personave të dyshuar, të cilët u zbuluan gjatë ditës së sotme dhe përfunduan në pranga.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për tre të rinj, të moshave, 19, 20 dhe 22-vjeçare, të cilët janë kapur në flagrancë dhe dyshohen për dy rastet e denoncuara.
Me rastin e shoqërimit në stacion policor, të njëjtit kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë, për veprat me të cilat ngarkohen.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe inicimin e dy rasteve, veç e veç.