Ky është pejani që u arrestua nga Antidroga pas aksionit në lokalin “Swiss Caffe” në Pejë

Një aksion i Njësisë së Antidrogës në Policinë Rajonale në Pejë i zhvilluar mbrëmjen e djeshme në një lokal ka rezultuar me kapjen e një personi që dyshohej për shitjen e substancave narkotike, i cili kërkohej edhe nga gjykata. I riu u arrestua në flagrancë nga Policia, me ç’rast gjatë bastisjes u sekuestrua marihuanë e kokainë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u arrestua është Edison Laja, 28-vjeçar, i cili tashmë ndodhet prapa grilave.

I riu u ndalua në orët e mbrëmjes, pasi fillimisht Antidroga kontrolloi lokalin ‘Swiss Caffe’, ky dyshohej se bëhej shitblerja e drogës. Pas bastisjes, zyrtarët policorë kanë gjetur një sasi të marihuanë, kokainë, bimë kanabis, peshore e pajisje tjera, si dhe 1 mijë euro para të gatshme.

28-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të nisin hetimet ndaj tij për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndërsa, Laja është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese për ta vuajtur dënimin, pasi ndaj tij kishte edhe urdhëresë aktive lidhur me një rast të mëhershëm.

Rasti është konfirmuar tashmë edhe nga Policia e Kosovës.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Incident gjatë festës së Pavarësisë në Ferizaj, disa të rinj rrëzohen nga furgoni