Rrahje te shkolla “Mehmet Akif” në Lipjan: 17-vjeçari sulmon dy nxënës, përfundon në ndalim

Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta. Drejtoritë shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur edhe dje në Lipjan, ku tre nxënës janë përfshirë në përleshje.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur te shkolla “Mehmet Akif School”, ku pas një mosmarrëveshje një nxënës ka sulmuar dy të tjerë dhe për pasojë të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se posa rasti u denoncua në Polici, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij për motivin e rrahjes.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor” dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga shkolla, por askush nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

Kujtojmë se rastet e tilla janë kthyer në shqetësim edhe për prindërit, për shkak të sigurisë në institucionet arsimore.

Lexo edhe:  “Na kanë gjuajtur me gajbe të birrave e gurë”- flet njëri nga sulmuesit e Valon Sylës