Bedri Hamza paraqitet në gjykatë, flet për rastin e 53 milionëshit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në shqyrtimin gjyqësor të së mërkurës në rastin e njohur si “53 milionëshi”, është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit Bedri Hamza, ish-ministër i Financave, i cili tha se për procedurat e pagesës dhe marrëveshjes së shumë prej 53 milionë eurove, e kishte autorizuar zëvendësministrin Fatmir Gashi dhe se vetë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë fazë të procesit.

“E nderuar kryetare e trupit gjykues edhe para organeve kompetente kam deklaruar e sot e ripërsëris se unë nuk kam qenë pjesë e këtij procesi dhe këtë çështje e kam pas të deleguar me autorizim të veçantë tek njëri nga zëvendësministrat, në këtë rast zotëri Fatmir Gashi”, tha Hamza.

Këtë deklarim, Hamza e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Atdhe Dema, në rastin ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hamza tha se arsyeja se përse nuk ka qenë pjesë e procedurave të Komitetit Ndërministror për ndërtimin e autoudhës Prishtinë- Hani i Elezit është se ka pasur një volum të madh të punëve, andaj edhe ka autorizuar zëvendësin e tij, Fatmir Gashin.

Dëshmitari Hamza tha se Ministria e Financave nuk ka bërë mbikëqyrjen e projektit dhe se mbikëqyrjen e ka për detyrë ministria e linjës përkatëse.

Tutje, dëshmitari Hamza tha se sipas dijenisë së tij, kontrata bazë për ndërtimin e autoudhës Prishtinë- Hani i Elezit duhet të përmbajë nenet të veçanta ku specifikohen detyrimet shtesë.

Hamza sqaroi se lidhur me vendimin për rekomandimin Qeverisë së Kosovës që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enka” për pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh nuk ka pasur asnjë bisedë me zëvendësin Gashi.

Lexo edhe:  Sot është ndërruar ora, mësojeni a kemi fjet një orë më shumë a më pak?

“Me sa jam në dijeni, nuk kemi biseduar për këtë çështje”, shtoi Hamza.

Po ashtu, dëshmitari Hamza tha se për veprimet që ka ndërmarrë zëvendësi Gashi, nuk e ka këshilluar se si të veprojë pasi që ka qenë në kuadër të përgjegjësive të tij si i autorizuar në Komitetin Ndërministror.

Ai tha se ka njohuri për kompaninë “Hill International”, e cila kompani sipas tij ka qenë përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratës për ndërtimin e autoudhës Prishtinë-Hani Elezit.

Dëshmitari Hamza sqaroi se kompania “Bechtel & Enka” ka mundur që të bëjë zvogëlimin e dinamikës së punimeve si rezultat i mospërcjelljes me pagesa në mënyrë të rregullt dhe se sipas tij është dashur të ketë një koordinim midis palëve kontraktuese.

Lidhur me mënyrën e pagesave, dëshmitari Hamza tha se janë dokumentet zyrtare që dëshmojnë për secilën periudhë kohore se a janë bërë pagesat me rregull dhe brenda afateve ligjore apo jo.

Po ashtu, deklaroi se me të marrë detyrën e tij si ministër i Financave në shtator të 2017-ës, ka bërë të gjitha pagesat e nevojshme qofshin edhe ato për periudhat paraprake si dhe shtesë prej 53.1 milionë eurosh obligime buxhetore të papërfunduara.

Lidhur me përmbajtjen e kontratës, Hamza tha se kontrata midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë “Bechtel & Enka”, ka qenë një dokument i klasifikuar, e që sipas do të thotë se qasja në kontratë ka paraparë procedura të veçanta.

Sipas dëshmitari Hamza, në rast të mosrespektimit të afateve ligjore për ekzekutimin e pagesave, pala kontraktuese në këtë rast “Bechtel & Enka” mund t’i drejtohej përmbaruesit privat ose arbitrazhit.

Në këtë seancë, sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani, i ftuar në cilësi të dëshmitarit ka qenë edhe Fatmir Krasniqi, por i njëjti ka njoftuar gjykatën se për shkak të disa rrethanave familjare gjendet jashtë shtetit dhe ditën e hënë mund të japë dëshminë e tij.

Lexo edhe:  E vranë veterinerin dhe ia morën veturën, detaje nga organizimi i sulmit në Turqi

Në mungesë të dëshmitari Krasniqi, seanca është ndërprerë për të vazhduar nesër (13 korrik), ku pritet të japë dëshminë Besnik Avdijaj.