Djegia e ekskavatorit në Ferizaj, arrestohet i dyshuari: E bëra për hakmarrje
Të enjten e 6 korrikut, Gazeta Sinjali raportoi për një rast të zjarrvënies në fshatin Jezerc të komunës së Ferizajt, ku persona të panjohur i kishin vënë flakën një ekskavatori. Pas veprimeve hetimore është arritur që të identifikohet personi i dyshuar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se mëngjesin e sotëm, Policia ka zbarkuar në shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë arrestuar 54-vjeçarin dhe të njëjtin e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Si erdhi deri te arrestimi i tij:
I dyshuari fillimisht ishte intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, por pas veprimeve hetimore janë mbledhur dëshmi dhe janë marrë pamje nga kamerat e sigurisë se ai ka blerë benzinë në një pompë derivatesh e më pas ka vazhduar në vendin ku ka qenë ekskavatori.
E gjithë këtë vepër e pranoi se e ka kryer kur u intervistua sot. Sinjali mëson se ai para hetuesve policorë ka deklaruar se këtë e ka bërë në shenjë hakmarrjeje ndaj pronarit të ekskavatorit, për të cilin thotë se e një ditë para rastit të zjarrvënies, e ka sulmuar fizikisht për 50 euro borxh.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Zjarrvënie’.