Njësia Speciale e ndalon të riun me Porsche në Prishtinë, ia gjejnë armën që e mbante ilegalisht

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje në Prishtinë, derisa Njësia Speciale po patrullonte në rrugën “Ramiz Cërnica”, ku ndaloi për kontroll një veturë, të tipit Porsche, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, te shoferi është gjetur një armë me disa fishekë, të cilën i dyshuari e posedonte pa leje.

Pas përfundimit të kontrollit policor, arma është konfiskuar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Mot i ndryshueshëm gjatë ditës