15-vjeçari lëndohet në vendin e punës në Prizren, pronari thotë se s’di gjë – Policia nis hetimet

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë.

Një rast i tillë i lëndimit në punë ka ndodhur edhe gjatë ditës së sotme në qumështoren “Abi”, në Prizren.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se punëtor që ka pësuar lëndime është vetëm 15-vjeçar.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Toger Shaqir Bytyqi bëri të ditur për Sinjalin se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë mbledhur provat dhe kanë intervistuar të gjitha palët.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Dëmtim apo asgjësim i pajisjeve mbrojtëse”.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar njërin nga pronarët e qumështores “Abi” për të marrë versionin e tij lidhur me ngjarjen e ndodhur, por i njëjti ka deklaruar se nuk është në dijeni për rastin, pasi ndodhet jashtë shtetit.

Lexo edhe:  Tragjedia në Shkodër, gjendet edhe trupi i djalit 3-vjeçar