I riu në Obiliq u jep dy fëmijëve të tymosin bari, të miturit dërgohen me urgjencë në spital

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i rëndë ka ndodhur dje në fshatin Plemetin të komunës së Obiliqit, ku një person dyshohet se u ka dhënë për të konsumuar substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dy fëmijëve të fshatit.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se nëna e fëmijëve ka njoftuar Policinë lidhur me rastin dhe për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, të miturit janë dërguar me urgjencë në spital.

Të njëjtit janë hospitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor nën përkujdesjen e mjekëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar që 23-vjeçari të hetohet në liri për veprën penale ‘Intoksimi i personit tjetër me narkotikë ose substanca psikotrope’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që e intokson personin tjetër me narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge pa dijeninë e personit të tillë, dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.

Lexo edhe:  Eksperti mjeko-ligjor: Vdekja e Marigonës ka ardhur si pasojë lëndimeve të shumëfishta