Arrestohen dy të dyshuar për 4 vepra penale, Policia gjen armë e municion në shtëpitë e tyre në Malishevë e Prishtinë

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës ka kryer dje bastisje në pesë lokacione në Malishevë dhe Prishtinë, ku janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të dy personave të cilët dyshohen për katër vepra penale.

Të njëjtit janë arrestuar dje pas disa muajsh në arrati, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, fishekë e gëzhoja armësh. Po ashtu është sekuestruar edhe vetura e njërit prej të dyshuarve, e cila dyshohet se u përdor për të kryer veprat penale.

53 dhe 27-vjeçari dyshohen për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’, ‘Detyrim’ dhe ‘Zjarrvënie’.

Sinjali mëngjesin e 18 prillit pati raportuar për një rast të cilin e kishte denoncuar një punëtor i kompanisë ‘Tregtia’. Xh.S., kishte raportuar në Polici se derisa ka qenë në lëvizje me automjetin e kompanisë, janë dëgjuar të shtëna me armë nga një veturë tjetër.

E pikërisht për këtë rast del se të dyshuar janë dy personat që u arrestuan gjatë ditës së djeshme.

Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor ku i janë nënshtruar procedurës së intervistimit nga hetuesit policorë.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor.

Brenda afatit ligjor Prokuroria pritet të parashtrojë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së sigurisë.

Lexo edhe:  Protesta kundër Trendafilovës, merret një vendim për Molliqajn dhe të tjerët