“Do t’iu prej të gjithëve”/ Kushëriri sulmon fizikisht me mjet të fortë 23-vjeçarin

Një person ka përfunduar në pranga një ditë më parë në Drenas, pasi dyshohet se bëri për spital kushëririn e tij.

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur në fshatin Nekoc, ku i dyshuari që ndodhej në rrugë i kishte bërë me shenjë kushëririt të tij që ta ndalë veturën. Sipas viktimës, posa ka hapur xhamin e veturës, i dyshuari e ka goditur me grusht e më pas edhe me mjet të fortë.

Kjo bëri që 23-vjeçari të drejtohet për në spital, ku ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të marra.

E i dyshuari nuk e la me kaq, sepse pak më vonë ai dyshohet se shkoi te shtëpia e të riut ku ka sharë e fyer personat që ndodheshin në shtëpi, e më pas i ka kërcënuar ata se do i pres të gjithë.

Njësitet policore me të marrë informatën lidhur me rastin, kanë arrestuar 39-vjeçarin i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim. Para hetuesve policorë ai ka mohuar të ketë kryer ndonjë nga veprat për të cilat u prangos.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Kanosje’ e po ashtu i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Lexo edhe:  Mjerim: Për 10 vjet, punëtorëve të ndërtimit ju rritën pagat më pak se 140 euro