Ky është i dyshuari që u kap me heroinë në Pejë, përfundon në ndalim

Gazeta Sinjali raportoi sot për një aksion që u zhvillua mbrëmë në Pejë dhe rezultoi me sekuestrimin e një sasie të heroinës dhe arrestimin e personit të dyshuar për shitblerje të substancave të tilla. I dyshuari që u kap në flagrancë nga Policia tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tij kanë nisur hetimet.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Valdet Berisha, (35-vjeçar), i cili u ndalua dje në rrugën “Papa Klementi”, derisa po lëvizte me veturën e tij.

Droga u sekuestrua nga zyrtarët policorë, ndërsa i dyshuari pasi është prangosur u shoqërua në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Kujtojmë se abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Lot e emocione: Familja e madhe nga Podujeva, dalin me vetura luksoze që ta presin axhën e tyre në kufi