Nesër bllokohen hyrjet-daljet e Graçanicës për Vidovdan

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nesër do të bllokohen hyrjet dhe daljet për në Komunën e Graçanicës për shkak të festës së Vidovdanit.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se rruga do të mbyllet nga ora 07:00 e mëngjesit.

“Festa e Vidovdanit mbahet në Graçanicë duke filluar nga ora (07:00), andaj do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës, konkretisht në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes Veterrniku, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit”, thuhet në njoftim të PK-së.

Ndër tjera, theksohet janë ndërmarrë veprime planifikuese edhe për nder të festës së Kurban Bajramit.

“Parapërgatitja dhe ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në mënyrë që aktivitetet të zhvillohen në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike. Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike. Garantimi i lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët”.

“Kontrollimi dhe menaxhimi i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale. Angazhimi i njësiteve policore për ri-orientim të trafikut në ato rrugë ku mund të ketë ndërprerje të përkohshme të rrugës apo të ndonjë korsie. Zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim

Lexo edhe:  Vjedhje grabitqare në Prizren: Hajni ia kap çantën me qindra euro e dokumente 32-vjeçarit dhe zhduket