I dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve pretendon se arma ishte e viktimave
Bilanci: Dy viktima; shkak: Toka. Gjakova është tronditur me vrasjen e dy vëllezërve Islamaj të dielën në mbrëmje në fshatin Madanaj të Gjakovës. Blerim dhe Haxhi Islamaj mbetën të vrarë me armë zjarri pas një përleshje që patën me të dyshuarin, Gjergj Gjokaj. Krejt kjo ndodhi për një kontest pronësor që dy familjet kishin mes tyre.
I dyshuari për vrasjen e dyfishtë është arrestuar nga Policia e Kosovës disa orë pasi kreu krimin. Ai, aktualisht është i shtrirë në spital pasi që ka marrë disa lëndime trupore nga përleshja që përfundoi me viktima.
Ndrecë Dodaj, avokati zyrtar i të dyshuarit Gjergj Gjokaj është deklaruar për Gazetën Insajderi lidhur me rastin. Ai tha se klienti i tij pretendon se vrasjen e ka kryer në vetëmbrojtje.
Sipas tij, i dyshuari ka thënë se arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi i përket viktimave.
“jemi në fazën e hershme të hetimit. Ende nuk dihet se si ka ardhur deri tek vrasja por sipas pretendimeve të të dyshuarit ai thotë se arma është e viktimave. Ai thotë se është sulmuar nga dy vëllëzerit dhe ka marr lëndime në kokë. Sipas të dyshimtit, lëndimet i ka marrë prej armës së atyre. Ka edhe një predhë në këmbën e djathtë, nën gju”, tregon avokati Dodaj për Gazetën Insajderi.
Ndërsa lidhur me pronësinë e tokës, avokati thotë se klienti i tij e ka marrë për shfrytëzim tokën nga Gjon Gjokaj
“E ka një kontratë për shfrytëzimin e tokës. Gjon Gjokaj është pronari jashtë shtetit ndërsa shfrytëzuesi i tokës është Gjergj Gjokaj”, tha ai.
I pyetur nëse i dyshuari ka pasur edhe më herët probleme me dy viktimat, avokati thotë se klienti i tij nuk ka treguar diçka të tillë.
Nesër më 27 qershor do të bëhet varrimi i dy vëllezërve