Shqiptarët protestojnë në Cyrih, kundërshtojnë cenimin e sovranitetit të Kosovës

Nën organizimin e komunitetit kosovar në Zvicër, sot në qendër të Cyrihut janë tubuar qindra shqiptarë për te protestuar me moton “QËNDRONI ME REPUBLIKËN E KOSOVËS”.

Kjo protestë është ftuar për të kundërshtuar “padrejtësitë e disa instancave ndërkombëtare pro-serbe”.

Protestuesit sot në Zvicer kërkuan largmin e treshës së dialogut, Borrell-Escobar-Lajcak, për shkak të njëanshmërisë.

Madje, protestuesit kërkuan nga Berni zyrtar që të udhëheqë procesin e dialogut Kosovë-Serbi, me Zvicrën si ndërmjetësuese neutrale.

Në fjalimin e tij, iniciuesi i kësaj proteste, Lulzim Kadriu, tha se BE-ja po bën të njëjtin gabim që bëri në 2008 dhe 2014 me Putinin.

“Ajo mbështetet në politikat e qetësimit. Aktualisht po e përjetojmë rezultatin në Ukrainë. Procesi i normalizimit nuk po përparon. Marrëveshja e fundit nuk u nënshkrua dhe u prish në rastin e parë nga Vuçiq. Nga ana tjetër, presioni ndaj Kosovës po rritet. Njëanshmëria nuk do të na sjellë më pranë zgjidhjes. Në anën e kujt është Vuçiq është e qartë. Ndërsa shefi i tij i inteligjencës Vulin është në një konferencë sigurie në Moskë, banditë që ai organizoi sulmojnë brutalisht ushtarët e KFOR-it për të protestuar kundër zbatimit të rezultateve të zgjedhjeve që ata vetë i iniciuan dhe bojkotuan. Ne kemi nevojë për ndërmjetës të pavarur në procesin e normalizimit dhe një fund të politikës së zbutjes” tha ai.

Me pankarta “Mos e prekni kufirin” dhe “Kundër bosnjëzimit të Kosovës”, protestuesit bënë thirrje që të mos kalohet nëpër territorin serb për të shkuar në Kosovë, si dhe u dënua arrestimi i tre policëve kosovarë.

Protestuesit dënuan gjithashtu sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve.

Lexo edhe:  Dyshohet për mashtrim, ky është personi që u arrestua në Han të Elezit