Tentim vrasja në Prishtinë: Ky është personi që e gjuajti me armë zjarri 42-vjeçarin pas një fjalosje
Një ngjarje e rëndë e cila ka mundur të përfundojë tragjikisht ka ndodhur të mërkurën pasdite në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë, ku një 34-vjeçar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi.
Konflikti mes dy palëve nisi me debat verbal dhe eskaloi në përdorimin e armës, por që i dyshuari nuk arriti ta qëllojë viktimën, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që ndodhet tashmë nën masën e ndalimit policor është Arlind Krasniqi, ndaj të cilit kanë nisur hetimet për tri vepra penale.
Gjithçka dyshohet se ndodhi pas orës 17:00, kur i dyshuari dhe viktima u fjalosën me njëri-tjetrin, për motive akoma të panjohura dhe pasi s’arritën të merreshin vesh, i dyshuari nxori armën dhe gjuajti në drejtim të viktimës.
Ndonëse nuk arriti ta qëllojë, i riu shkaktoi rrezik të përgjithshëm, duke përdorur revolen, të cilën e mbante ilegalisht.
Sinjali mëson se posa rasti u raportua në Polici, njësitet përkatëse intervenuan në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar personi i dyshuar.
Arma që dyshohet se u përdorur në rast është sekuestruar, bashkë më gëzhojën dhe fishekët,që gjetën në vendin ku ndodhi incidenti, me rastin e kontrollit policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të iniciohen rastet për “Vrasje në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Edhe nga Policia e Kosovës e kanë konfirmuar rastin.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje verbale ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Nga i njëjti është konfiskuar një pistoletë me pesë copë fishekë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërkaq viktima nuk ka pësuar lëndime.”