Kurti: Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë në shkolla

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se mbështet ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon përdorimin e shamisë në institucionet arsimore.

Kurti ka deklaruar sot se është kundër ndalimit të shamisë në institucionet arsimore, teksa ka thënë se ky deklarim i tij është në linjë me qëndrimet e mëparshme të tij.

“Qeveria është duke përcjell me vëmendje. Ne do ta kemi projektligjin për liritë fetare, për komunitetet fetare në Kosovë. Por, qëndrimin tim unë e kam thënë para shumë vitesh. E qëndrimi im është se nuk duhet të ketë ndalim të shamisë e as të elementeve të tjera fetare në shoqëri”, tha Kurti.

“Por, më duhet të them se mosha 16 vjeçare është pragu”, tha ai.

Pas nisjes së një iniciative në rrjetet sociale për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon hyrjen në institucionet e arsimit për të gjithë nxënëset me mbulesë, të enjten ka reaguar edhe Ministria e Arsimit.

Sipas MASHT-it, së shpejti do të bëhen avancime në drejtim të eliminimit të përjashtimeve dhe cenimeve ndaj individëve në institucionet arsimore.

“Ministria e Arsimit do të angazhohet në avancimin e sistemit arsimor dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të favorshëm dhe mbështetës për të gjithë ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe cenuar”, tha të enjten MASHT-i.

Tutje, thuhet se kjo ministri tashmë është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor dhe presin që procesi të nis sipas planifikimeve.

Lexo edhe:  Qeveria ndan 10 milionë euro për skemën e re / Kush janë përfituesit?